Mungesë e ujit në fshatin Skenderaj|Video
BKT
Kosovë

Mungesë e ujit në fshatin Skenderaj|Video

Ahmet Maholli / RTK

Shumë projekte kapitale që janë paraparë nuk po mund t’i realizojnë si rezultat i bllokimit të mbi 700 milionë eurove nga Qeveria. Për shkak të bllokimit të këtyre parave, është bllokuar edhe shtrimi i rrjetit të ujësjellësit në komunën e Skenderajt nga i cili varen mbi 53 mijë banorë.

Për të siguruar ujë, një banorë thotë se duhet të shkojë në Skenderaj sepse i tërë fshati është pa ujë. Kjo po ia vështirëson jetesën.

“Qe uji i këtij pusi dy gota ujë, ka dy vjet që ka shterrë pikë e ujit ma s’ka ardhur ma hiq aq sa mund ta përballojmë, kur s’mundemi duhet me i shitë krejt edhe me ikë “, tha Abdullah Qorraj përfaqësues I fshatit Ticë

Me këtë problem përballet edhe Arsim Jusufi nga fshati Plluzhinë po nga Skenderaj edhe këtu komuna ka shtrirë një pjesë të rrjetit të ujësjellësit, por ujë nuk ka.

“Është uji I papijshëm, I cili ka dalë me rezultate të tmerrshme, por që ne duhet ta pimë se s’kemi dhe për çdo gjë që na nevojitet ”, tha Arsim Jusufi, përfaqësues I fshatit Plluzhinë.

Komuna e Skenderajt ka nisur një projekt jetik vitin e kaluar në vlerë prej 4 milionë eurosh duke e shtrirë edhe rrjetin në shumë fshatra, por një gjë e tillë nuk ka përfunduar sepse Qeveria e ka hequr nga projektbuxheti.

Për kryetarin Nura, kjo është e pashpjegueshme.

“Përderisa ekzistojnë mjetet në buxhetin e republikës së Kosovës për projektet kapitale diku 600-700 milion euro, në një forme të bllokuara, ndërkohë që qytetarët vuajnë për ujë të pijes, është qasje jo humane”, Fadil Nura, kryetar I Skenderajt.

Ndër arsyet kryesore që këto projekte jetike janë ndaluar, është mosfunksionalizimi i Bordit të OSHP-së për më shumë se një vit.

Kjo ka ndikuar që vetëm 11% e mjeteve financiare të shpenzohen për investimet kapitale nëpër komuna, pohon drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

 “Kemi me qindra miliona euro të cilat janë të parapara për investime kapitale të cilat shkojnë në dobi të qytetarit, nuk janë investuar, kemi ministri që kanë zero investime kapitale edhe pse I kanë paraparë por, shpresojmë se kjo do të ndryshojë për të mirë”, tha Sazan Ibrahimi, drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ibrahimi ka thënë se projekte të tilla nuk po mund të zbatohen edhe për shkak rritjes së çmimeve, inflacionit dyshifror dhe pamundësisë së komunave për rishikim të buxhetit. Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një prononcim nga Qeveria në lidhje me këto çështje, ajo nuk ka dhënë përgjigje.


MË SHUME NGA Kosovë