Policia sekuestron armë zjarri në pesë lokacione në Prishtinë
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Policia sekuestron armë zjarri në pesë lokacione në Prishtinë

E.Hoti/RTKLive

Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës ka organizuar një aksion ku ka kontrolluar pesë lokacione në kryeqytet.

Policia njofton se me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe parandalimit të akteve kriminale, ka organizuar punën e saj në të gjitha nivelet e stacioneve dhe njësive për krijimin e rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.

Policia deklaron se në kuadër të punës parandaluese janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat në veçanti kanë rezultuar me gjetjen e armëve dhe municioneve si dhe identifikimin e poseduesve të tyre.

Tutje policia ka sqaruar se në këtë drejtim, vetëm gjatë fundjavës së kaluar, në pesë lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës, janë gjetur dhe sekuestruar pesë armë të llojeve të ndryshme.

“Janë gjetur dy revole të tipit ZORAKI, të kalibrit 7.65 mm, një revole të tipit SIG SAUER, e kalibrit 9 mm, një revole të tipit CZ, e kalibrit 9 mm, një revole të tipit CZ, e kalibrit 7.65 mm, si dhe 19 copë fishek të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, ndaj të dyshuarve për secilin rast ndaras, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, dhe të njëjtit janë proceduar më tej.

“Sigurojmë qytetarët se strukturat e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin sigurisë, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale”, thotë policia.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle