Nagavci: Investimet në studentë i kthehen vendit në fuqi
Foto: Arberie Nagavci/ Facebook
Kosovë

Nagavci: Investimet në studentë i kthehen vendit në fuqi

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar profesorët e studentët për fillimin e vitit të ri akademik.

Shkrimin e saj drejtuesja e Arsimit në Kosovës e ka nisur me urimin për një vit të mbarë e të suksesshëm drejtë arritjes së synimeve për të ngritur cilësinë në arsimin e lartë.

“Si Ministri e Arsimit kemi krijuar mundësi të reja të përkrahjes financiare për studentët e të gjitha niveleve të studimit, sepse jemi të vetëdijshëm se i gjithë ky investim do t’i kthehet vendit në një fuqi njerëzore të përgatitur për të qenë në hap me kohën dhe ndryshimet që ndodhin”, ka shkruar Nagavci.

Ajo është shprehur e sigurt se me politikat e ndërmarra deri tash do të ketë avancim të integritetit akademik e përmirësim të cilësisë.

Finalizimi i Projektligjit për Arsimin e lartë sipas saj ndër të tjera garanton cilësi dhe autonomi universitare.

“Pas raportimit të disa rasteve të plagjiaturës në UP, kemi nxjerrë vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL). Me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim”, ka shkruar ajo.

Gjithashtu Nagavci ka shkruar për përkrahjen e grupeve të nënpërfaqësuara si vajzat e gratë që studiojnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë e matematikën, komunitetet joshumicë e personat me nevoja të veçanta.

“Kemi investuar në zhvillimin e shkencës e inovacionit për komunitetin akademik e më gjerë, ku kemi ngritur strukturat tona kombëtare për përkrahje të pjesëmarrjes e konkurrimit në programin më të madh të kërkimit e inovacionit në Evropë-Horizon Europe. Gjithashtu, po punojmë që të lidhim transferin e njohurive nga institucionet e arsimit të lartë në biznese e industri”.

Nagavci në fund ka premtuar mbështetje të fuqishme për studentët e mësimdhënësit për ta bërë vitin 2022-2023 vit të arritjeve thelbësore akademike.


MË SHUME NGA Kosovë