Presidentja pret në takim krerët e drejtësisë, u kërkon më shumë efikasitet
Foto: Presidenca e Kosovës
Kosovë

Presidentja pret në takim krerët e drejtësisë, u kërkon më shumë efikasitet

V.Thaçi/RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

Në këtë takim u diskutua për nevojën domosdoshme dhe urgjente të intensifikimit të punës së Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë në parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të dhunimeve, ngacmimeve seksuale dhe veprave penale kundër integritetit seksual.

Presidentja u zotua për përkrahjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe atyre ligj zbatuese në ndërmarrjen e këtyre hapave.

Presidentja gjithashtu rikonfirmoi përkrahjen e saj për nismën për veting dhe reforma në drejtësi, si rruga më e nevojshme dhe e duhur në drejtim të garantimit të një sistemi gjyqësor e prokurorial me integritet dhe profesionalizëm.

Presidentja u bëri thirrje atyre për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse në zhvillimin e këtij procesi të dobishëm si për prokurorinë ashtu edhe për qytetarët e vendit tonë, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në grupet punuese duke ofruar sugjerimet e tyre konkrete për avancimin e këtij procesi.

Në takim gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit.

Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së.


MË SHUME NGA Kosovë