Arreston një i dyshuar, shmangu 500 mijë euro taksa
M.Miftari/RTKlive
Sikundër bëhet e ditur nga komunikata për medie, Dogana e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, pas hetimeve disa mujore, ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person të dyshuar për mashtrim me taksa.
Personi i arrestuar dyshohet me disa vepra penale që ndërlidhen me mashtrimet me taksa doganore, prandaj edhe ngarkohet me: Falsifikim i dokumenteve, mashtrim dhe shmangie nga taksat e detyrueshme doganore.
Pos tjerash, i dyshuari në mënyrë të përsëritur ka falsifikuar dokumente për automjete me qëllim të shmangies nga taksat e detyrueshme doganore dhe si rrjedhojë e këtij veprimi dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë mbi 500,000.00 Euro.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operative nga Dogana e Kosovës është arritur të rikuperohet shumica e dëmit të shkaktuar, duke arritur të sigurohen taksat doganore”, thuhet, ndër të tjera, në komunikatë.























