Operacioni "TOTO" vë në pranga disa të dyshuar
V.Thaçi/RTKlive
Sot në orët e pasdites, si rezultat i hetimit disa mujor, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Prizren, është realizuar një operacion të gjerë të koduar me emrin "TOTO" në disa rajone të vendit.
Përmes një komunikate për media Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni i lartcekur ka për qëllim zbatimin e Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe një zyrtar policor) dhe kontrollin e disa lokacioneve (Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë).
Sipas komunikatës, hetimi është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimit se nga të dyshuarit në këtë rast janë kryer vepra penale të "Fajdes", Detyrimit" dhe "Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm".
“Deri në këtë fazë të realizimit të operacionit janë kontrolluar disa lokacione dhe deri më tani janë arrestuar disa persona të dyshuar. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave, disa vetura, telefona mobil, armë dhe municion. Pasi që operacioni është ende në zhvillim e sipër detajet shtesë do të ofrohen pas përfundimit të operacionit policor përmes një komunikate shtesë”, thuhet në komunikatë.























