”Festo me zemër e jo me armë”
Foto: RTKLive
Kosovë

”Festo me zemër e jo me armë”

E.Hoti/RTKlive

Sot është mbajtur ceremonia zyrtare e lansimit të fushatës ”Festo me zemër e jo me armë”. Fushata ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive dhe ndërgjegjësimin, lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe rreziqet që sjellin ato.

Fushata organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme në mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes përkrahjes të shteteve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca , Suedia, Holanda dhe Norvegjia, e përkrahur nga Bashkimi Evropian.

Zëvendësministri i punëve të brendshme, Blerim Gashani në hapje të kësaj fushate tha se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë kosovare dhe institucionet e sigurisë.

Sipas tij, Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme.

“Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët që qarkullojnë në Kosovë janë shkaktarët kryesor për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimesh që kanë ndodhur, qofshin ato të dhunës në familje, grabitjeve dhe krimeve të tjera“, tha Gashani.  

Ai tha se Policia e Kosovës ka avancuar suksesshëm në aspektin e konfiskimeve të armëve ilegale dhe municionit. “Gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1260 armë dhe rreth 42 mijë raste municioni i kalibrave të ndryshmëm, në krahasim me vitin 2020 ku janë konfiskuar 1135 armë”, tha ai.

Ndërsa Zëvendëspërfaqësues i UNDP-së në Kosovë Niels Knudsen, tha se po i ndihmojnë institucionet e vendit tonë që të arrihet një ambient i sigurt për të gjithë.

Sipas tij, ndonëse ky është në problem global është fundamentale që të luftohet kjo dukuri.

“Po shohim se ka përparim edhe pse ka ende punë për të bërë.UNDP në kuadër të programeve të saj ka për qëllim që të ndihmojë institucionet që të arrihet një ambient i sigurt për të gjithë. Ky është një problem global, por është fundmentale që të arrihet të luftohet kjo”, tha ai.

Fushata e cila u lansua sot në Prishtinë, në të njëjtën kohë është lansuar edhe në Shkup. 


MË SHUME NGA Kosovë