Në Deçan varroset me nderime ish-eprori i lartë i UÇK-së, Deli Lekaj
Foto,RTK
Kosovë

Në Deçan varroset me nderime ish-eprori i lartë i UÇK-së, Deli Lekaj

Islam Haxhiu/ RTK

Në Lumbardh të Deçanit sot iu dha lamtumira e fundit ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Deli Lekaj.

Me këtë rast, komuna e Deçanit organizoi edhe mbledhje përkujtimore ku u fol për kontributin e të ndjerit në luftën e Kosovës.

Me nderimet më të larta ushtarake dhe qytetare në Lumbardh të Deçanit iu dha lamtumira e fundit, veteranit dhe ish eprorit të lartë të UÇK-së, Deli Rizë Lekaj.

E ndërkaq në mbledhjen komemorative të organizuar nga Komuna e Deçanit dhe OVL , është vlerësuar lart kontributi atdhetar i Deliut, si ushtar i celulave të para të UÇK-së dhe në shtetndërtimin e Kosovës.

 “Është vërtetuar se ka pasë temel, sepse pas sulmit në Gllogjan me fillimin e luftës frontale, pa thirrjen prej meje ose shtabit të Gllogjanit, po me thirrjen e atdheut kombit e Zotit, Deli Leka e mori përsipër organizimin e UÇK-së, jo vetëm në vendin e vet në Lumbardh, por në atë Zonë . Ka qenë ndër të parët djem shqiptarë që e ka fillu organizimin e luftës së UÇK-së”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-komandant i ZOD-së.

 Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj foli figurën e Deli Lekajt.

“Njeriu në këtë jetë duhet me u kujtu për diçka. Të lumtë ata që kanë me u kujtu e kanë me jetu gjatë me neve e me brezat pas nesh për veprat që i kanë bërë”, theksoi ai.

Deli Lekaj pas përfundimit të luftës për një kohë të gjatë shërbeu si Shef i Operativës në Zonën e Tretë të TMK-së me gradën e kapitenit, ndërsa u pensionua para kohe për shkaqe shëndetësore, si pasojë e plagëve të luftës.

Ndërsa në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti vëllai i të ndjerit, Esat Lekaj.


MË SHUME NGA Kosovë