Mungesa e pagave, komunave nisin t`u shkojnë paditë
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Derisa Ministria e Financave ka bërë të ditur se do të bëjë procedimin e pagave për mësimdhënësit, nëse Organizatat Buxhetore i rikonfirmojnë listat e pagave, duke merr parasysh kalendarin e ri të miratuar nga MASHTI, komunës së Drenasit tashmë i ka shkuar veçse padia e parë.
Paditësja është një mësimdhënëse që aktualisht është në pushim të lehonisë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili ka publikuar edhe padinë e mësimdhënëses ndaj komunës së Drenasit, konkretisht Drejtorisë së Arsimit si punëdhënëse.
“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehone”, ka shkruar Lladrovci.
Thotë se si kryetar i komunës po përcjellë me shqetësim situatën, derisa i ka bërë thirrje Qeverisë së të gjej zgjidhje dhe të bëjë ekzekutimin e pagave për të gjithë mësimdhënësit.
“Në të kundërtën do të kemi ngarkim të sistemit gjyqësor, rrjedhimisht dëmtim të buxhetit nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata”, ka shkruar Lladrovci.
Ministria e Financave nuk i ka proceduar pagat për mësimdhënësit për muajin shtator si shkak i grevës 22 ditëshe në këtë sektor.
Ndërkohë në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Financave për procedimin e pagave thuhet se
Organizatat Buxhetore duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e Shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

Foto: Ramiz Lladrovci/ Facebook























