Aktakuzë për terrorizëm pasi kishte shkuar me grua e vajzë në ISIS
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale H.S., për veprën penale ‘’Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’’.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri H.S., me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake, së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ka udhëtuar për në Stamboll – Turqi.
Përmes lidhjeve të caktuara, ai ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’, e cila në këto vende ka qenë duke luftuar, ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’.
Si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, ai është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollarë në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.























