Inspektohet nëse ka ngritje të çmimeve të pajisjeve të ngrohjes
BKT
Kosovë

Inspektohet nëse ka ngritje të çmimeve të pajisjeve të ngrohjes

B. Halimi / RTKlive

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit të Tregut në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunal, sot, kanë inspektuar disa operatorë ekonomik me qëllim të verifikimit nëse ka pasur manipulime dhe ngritje të çmimeve të pajisjeve, të cilat do të subvencionohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës respektivisht Ministria e Ekonomisë.

Numri më i madh i inspektimeve janë realizuar në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Mitrovicës dhe disa komuna më të vogla si Hani i Elezit, Dragash, Kaçanik etj.

Inspektorët e tregut kanë arritur të sigurojnë çmimet aktuale dhe i kanë detyruar operatorët ekonomik që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm me ç'rast do të vërtetohet nëse ka ngritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve në veçanti pompave termike, inverter, kalldaja, stufa etj.

Inspektorët e tregut kanë njoftuar bizneset që do të inspektohen dhe do të ndërmerren masa në çdo rast kur konstatohet që ka ngritje të çmimeve të paarsyeshme e sidomos tani kur rritet kërkesa për produktet e lartcekura, për shkak të thirrjes për subvencionim nga Ministria e Ekonomisë/ Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton MINT.

Tutje kjo ministri ka falënderuar të gjithë konsumatorët që vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ka siguruar qytetarët se do të jetë aktive në bashkëpunim me inspektorët e tregut në komuna.


MË SHUME NGA Kosovë