Vazhdon sekuestrimi i objekteve në Brezovicë
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë edhe sot janë duke vazhduar aksionin lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në Brezovicë - Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”.
“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Edhe gjatë ditës së djeshme janë sekuestruar edhe mbi 50 objekte tjera në Brezovicë, në mesin e tyre dhe një hotel.
Rasim Maloku, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, deklaroi për RTK-në se operacioni i sotëm “Brezovica” është vazhdimësi e operacionit të ndërmarrë muaj më parë.
“53 vila janë mbyllur e janë sekuestruar, kurse operacioni vazhdon edhe në ditën e nesërme nëse premtojnë kushtet atmosferike”, tha Maloku për RTK-në.
Ai sqaroi se zona është nën kontroll dhe tanimë janë ndërprerë të gjitha punimet.























