Dobërçani do të bëhet me çerdhe, Kurti e quan lajm të mirë
Ahmet Maholli / RTK
Kryeminstri Albin Kurti, ministrja Arbërie Nagavci dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kanë vënë gurthemelin e çerdhes në fshatin Dobërçan.
Kryeministri Albin Kurti, theksoi se realizimi i këtij projekti është lajm i mirë për banorët e kësaj ane, e veçmas për fëmijët e fshatit Dobërçan.
“Ky është lajm i mirë për të vegjlit tanë që i detyrohemi shumë. Kemi ardhur këtu për ju dhe kjo i dedikohet juve dhe fëmijëve tuaj. Në vendin tonë kemi nevojë për shtim të çerdheve sepse fëmijët janë e ardhmja”, ka thënë Kurti para banorëve të Dobërçanit.
Sipas kryeministrit edukimi i hershëm i fëmijve është sukses për të ardhmen e tyre.
“Po punojmë edhe për adaptimin e hapësirave të tanishme për të vegjlit, derisa do të hapim çerdhe të reja edhe në Prizren e shumë komuna tjera. Sot, kemi kënaqësinë që po e vendosim gurthemelin e çerdhes këtu në Dobërçan. Fshati është i pastër sepse banorët janë të organizuar”, ka theksuar Kurti.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ndërtimi i kësja çerdheje është një nga zotimet e kësaj qeverie për të krijuar më shumë mundësi dhe hapësira për të vegjlit.
“Ne po krijojmë mundësi për të vegjlit, për të ndikuar në zhvillimin e tyre. Ne synojmë të kemi sa më shumë çerdhe, në mënyrë që t’ua mundësojmë nënave që të punojnë. Infrastruktura është e rëndësishme po aq sa cilësia dhe ne jemi të përkushtuar në këtë drejtim”, është shprehur Nagavci.
E i pari i Gjilanit, Alban Hyseni është shprehur i lumtur që po e jetësojnë një projekt shumë të rëndësishëm për banorët e kësaj treve.
“Arsimi parafillor është themeli i shoqërisë. Ky projekt buron nga nevoja e banorëve të fshatit. Përkundër obligimeve, gjetëm mbështetje në Ministrin e Arsimit për ndërtimin e kësaj çerdheje, që do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve”, ka theksuar Hyseni.
Ai ka thënë se ky projekt kap vlerën e 300 mijë eurove dhe realizohet me financimin e Ministrisë së Arsimit, teksa ka bërë të ditur se komuna e Gjlanit po bëhet me katër çerdhe brenda vitit.
Çerdhja në fshatin Dobërçan do të ketë hapësirë prej 700 m2 dhe do t’i përmbushë nevojat e familjeve të kësaj treve.























