MASHTI: Orët e humbura duhet të plotësohen, inspektorët do jenë në terren
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

MASHTI: Orët e humbura duhet të plotësohen, inspektorët do jenë në terren

Jeton Musliu/RTKlive

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), përsëriti sot se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive,  e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime.

“Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat”, shkruan në njoftimin  MASHT-I-it.

Ky njoftim vjen pas deklarimit të Sindikatës së bashkuar të Arsimit e Shkencës së Kosovës se nuk do të zëvendësojë orët e humbura gjatë grevës së mbajtur në muajin shtator.

Por sipas Ministrisë së Arsimit, gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave”, deklaron MASHTI-i.

Ministria rikujton se në muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz.

MASHTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar.

“Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor. Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”.


MË SHUME NGA Kosovë