Historianët e Deçanit kundër faljes së pronave për Manastrin
J.Musliu/RTKlive
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, me anë të një deklarate për media, shprehet se me interes të shtuar janë duke e përcjellë rastin e kontestit pronësor në Deçan, në mes të Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” dhe Manastirit të Deçanit.
“Insistimi i vazhdueshëm i përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë për të zbatuar vendimin anti kushtetuese dhe anti ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit të vitit 2016, i cili njeh dhe legalizon vendimet e kohës së Millosheviqit, është i papranueshëm”, shkruan në këtë deklaratë.
Ata rikujtojnë se regjimi gjenocidial i Millosheviqit, në vitin 1993 dhe me pas në vitin 1997, me vendime i ka falur pronat e Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” Manastirit të Deçanit.
“Pra, një regjimi i dhunshme, me ligje të dhunshme i ka falur prona Manastirit të Deçanit”.
Lidhja e Historianëve të Koëovës, dega në Decan, deklaron se duke ditur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që bie ndesh me nenin 113, paragrafi 7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, bën thirrje që ky aktgjykim të mos zbatohet, nga asnjë palë, as nga Zyra Kadastrale në Deçan dhe as nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
“Zbatimi eventual i tij, është precedent i rrezikshëm për Kosovën, ngase të gjitha kishat e ndërtuara nga regjimi i Millisheviqit në vendin tonë gjatë viteve 1989-1999, duke filluar nga ajo në pronën e Universitetit të Prishtinës, pastaj në Gurakoc e Banjë të Pejës në Istog, Drenoc të Klinës, Germovë të Vitisë, Kllokot, Bernjak të Rahovecit, e gjithandej vendeve të tjera në Kosovës, janë politike”.
Historianët deklarojnë se institucionet e Kosovës, e kanë për obligim që të mbrojtën sovranitetit shtetëror të vendit dhe Kushtetutën e Republikës.
“Manastiri i Deçanit, duhet të tërhiqet nga politika e tij anti shqiptare dhe të i jep shanse bashkëjetesës me banoret vendas, të cilët e kanë ruajtur dhe vazhdojnë ta ruajnë deri në pafundësi”.























