Biznesmeni i vrarë, Bedri Rexhepi varroset të enjten
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Pas identifikimit të mbetjeve mortore, familja e biznesmenit të vrarë, Bedri Rexhepi ka bërë të ditur se të enjten me 20 tetor nga ora 13:00 do të bëhet ceremonia e varrimit në varrezat e qytetit në Shtime.
“Shpresa e lutjet që ta gjenim të gjallë vëllain tonë na mbajtën të fortë gjatë gjithë kësaj kohe, por ja që tani na u shua çdo shpresë! Ne, këto ditë që i kaluam dhe po i kalojmë, ju falënderojmë përzemërsisht të gjithë juve që në çfarëdo forme ishit bashkë me ne, na qëndruat afër, ofruat ndihmën tuaj që dhimbjen e mërzinë ta ndajmë së bashku. Tani e tutje lutja jonë e vetme është që shpirti i tij të pushoj në parajsë, e drejtësia të vijë në vendin e duhur!”, kanë shkruar familjarët e viktimës.
Sot, Prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti ka konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura ditë më parë në malet e Novobërdës janë të biznesmenit Bedri Rexhepi. Për këtë krim tashmë është ngritur aktakuzë ndaj dy personave Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.
Dyshimet, sipas prokurorit Hamiti janë se ekzekutimi i tij ka ndodhur për motive të ulëta për shkak të përfitimit material nga të akuzuarit të cilët besonin se biznesmeni Rexhepi posedonte 30 mijë euro, për çka edhe e kanë ekzekutuar.

Prokuroria: Biznesmeni Rexhepi dyshohet se u vra për 30 mijë euro
Prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti ka konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura ditë më parë në malet e Novobërdës janë të biznesmenit Bedri Rexhepi i zhdukur që nga 9 prilli 2021.

Ai ka thënë se një ditë më herët i ka njoftuar edhe familjarët e viktimës se në bazë të të gjeturave mjekoligjore është vërtetuar identiteti i viktimës.
Prokurori i krimeve të rënda, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, derisa pas hetimeve rezulton se ekzekutimi i tij ka ndodhur për motive të ulëta, për shkak të përfitimit material nga të akuzuarit të cilët besonin se biznesmeni Rexhepi posedonte 30 mijë euro, për çka edhe e kanë ekzekutuar.
“Pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritur aktakuzë ndaj dy personave Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në drejtim të veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim i varreve apo kufomave, siç parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët, pasi sipas hetimit tonë rreth 18 mujor rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, e për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, ka thënë në konferencë prokurori Hamiti.
Ai ka thënë se që nga momenti kur kanë marr informatën për zhdukjen e biznesmenit tashmë të ndjerë Bedri Rexhepi, hetimet nuk janë ndaluar asnjëherë dhe për këtë tha se kanë pasur bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, FSK-në e AKI-në, për çka këta të fundit tha se kanë ndihmuar me informacione nga inteligjenca.
Tutje Hamiti bërë të ditur se në aktakuzën e ngritur ndaj dy personave janë 29 dëshmitar relevant, derisa tha se janë marr në pyetje edhe shumë të tjerë, por që nuk kanë dalë relevant për rastin.
Eshtrat e biznesmenit Rexhepi ishin gjetur më 30 shtator në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës.
Zbulimi i vendit u bë pas kërkimeve në tentimin e tretë në atë zonë, pasi dy herë të tjera kishin dalë bashkë me të pandehurit, por pa rezultate, ndërsa hera e tretë, ka sqaruar prokurori Hamiti, ka rezultuar me gjetjen e eshtrave pa të pandehurit, por duke përdorur masat hetimore.























