Dëmtuan dhe vodhën kioskën elektronike në Mitrovicë, zbulohen nga policia
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Dy ditë më parë ishte raportuar se në fshatin Kçiq të Madh të Mitrovicës ishte dëmtuar kioska elektronike cila ishte vendosur për pajisjen e qytetarëve me dokumente të gjendjes civile. Policia ka zbuluar të dyshuarit e dëmtimit dhe vjedhjes së parave aty, të gjithë të mitur.
200 euro janë dëmet si pasojë e dëmtimeve të kioskës derisa të dyshuarit këtë e kishin bërë për t’i vjedhur 33 euro nga aty.

“Pas një pune intensive hetimore nga ana e hetueseve të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, sot me datë 20.10.2022 është arritur që të identifikohen fillimisht dy persona të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor ku të njëjtit kishin pranuar se në bashkëkryerje edhe me dy persona tjerë kishin dëmtuar dhe kishin marrë shumen e parave që gjendej në aparat”, ka njoftuar Policia.
Nga zbulimi doli se personat e dyshuar ishin të mitur derisa me udhëzim të prokurorit të katër të miturit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe të zyrtarit nga Qendra për Punë Sociale.
Pas intervistimit dhe procedurave tjera janë iniciuar rastet “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Vjedhje e rëndë”, ndërsa personat janë liruar në procedurë të rregullt.























