Tentim kontrabande në burgun e Dubravës, kapen narkotikë e telefona
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Pas një informacioni konfidencial, Departamenti për Siguri ne bashkëpunimin me Njësitin e Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda Qendrës korrektuese të Dubravës.
Siç njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës, me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i menaxhmentit të kësaj Qendre Korrektuese në Dubravë.
Aty janë dhënë detaje se si arritën të lokalizonin automjetin e kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave në SHKK që po tentonte kontrabandën.
“Në tunelin e Portës së Re të hyrjes së qendrës kanë lokalizuar Automjetin Transportues të kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave në SHKK, ku gjatë kontrollit të detajuar brenda hapësirave të Automjetit Transportues në mënyrë të kamufluar është tentuar të futet brenda qendrës: substancë e dyshuar narkotike 748 gr, 11 telefona mobil, 8 kabllo të adapterëve, 2 koka të adapterëve, 5x20 tableta të dyshuara të llojit DBOLMAX, dhe 212 tableta të dyshuara si ekstazi”, ka njoftuar SHKK-ja.

Për këtë rast është njoftuar policia, ndërsa SHKK ka filluar hetimet derisa shpejt do të dal me raport të detajuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe se asnjëherë nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë dukurive të tilla negative, të cilat thonë se kanë për qëllim të rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj.
























