Vonohen rinovimet në shkollat e Shtimes|Video
BKT
Kosovë

Vonohen rinovimet në shkollat e Shtimes|Video

Ahmet Maholli/RTK

Rinovimet e objekteve që kanë filluar që nga maji i këtij viti në dy shkolla të Shtimes, kanë detyruar1250 nxënës që mësimet t’i ndjekin në shkolla të tjera. Për opozitën kjo është e papranueshme, sepse nuk i kanë bërë presion punëkryerësit për t`i kryer punët më herët. Ndërsa drejtuesit e Arsimit në këtë komunë thonë se punët po shkojnë sipas planit të paraparë.

Nxënësit e dy shkollave, të mesme dhe fillore, në komunën e Shtimes, mësimet po i zhvillojnë në shkollat tjera të qytetit. Kjo për shkak të renovimeve të stërzgjatura në këto dy institucione që nga maji i këtij viti. Drejtorët e këtyre shkollave shprehin shqetësim për vonesën e kryerjes së punimeve.

Zejnepe Hysenaj, drejtoreshë e Shkollës Fillore, “Naim Frashëri”, thotë se kjo po ndikon te nxënësit në aspektin emocional.

 “Ndikon drejtpërdrejt te nxënësit së pari në aspektin emocional, pastaj në adaptimin që thashë më parë në një hapësirë krejt tjetër, e kam problem edhe orientimin nëpër klasa, duhet ta shohin, kjo ndikon në aspektin psikik”, thotë Hysenaj.

Ndërsa Rexhep Hasani, drejtor i Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, thotë se  ka marrë premtime se punimet do të përfundojnë brenda muajit nëntor.

“Sot kam marrë premtimin se do të përmbyllet brenda muajit nëntor, sa I përket nxënësve, nuk kanë shqetësim, ata po e vijojnë mësimin se ka hapësirë të mjaftueshme në shkollën tjetër”, thotë Hasani.

Por, opozitari i vetëm në Shtime kritikon zyrtarët komunalë për neglizhencë në mbikëqyrjen e punimeve.

“Gjatë tërë muajit përderisa nxënësit ishin në pushim kryetari i komunës dhe drejtori i arsimit janë marrë kryesisht me presion ndaj mësimdhënësve për grevat, dhe këtë presion po ta ushtronin ndaj punëkryesit, sigurisht se këto dy shkolla do të ishin në funksion”, tha Rrahman Jakupi, asamblist i PDK-së,  në Komunën e Shtimes.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit i komunës së Shtimes, thotë se punimet në të dy shkollat pritet të përfundojnë për tre muaj.

 “Ne e kemi një zyrtar komunal i cili së bashku me drejtorët e shkollave në fjalë, vazhdimisht janë në kontakt dhe po e bëjnë një presion që të kryhen punimet sa më parë aq sa ne jemi duke bërë vazhdimisht. Interesi ynë është që punimet të kryhen sa më parë për arsye që nxënësit të kthehen në bankat shkollore të tyre”,  tha Lulzim Sahiti, drejtor i arsimit, në Shtime.

Projekti që parasheh ndërrim të pullazeve, dyerve e dritareve, izolimin dhe rregullimin e ngrohjes po realizohet, në bazë të një marrëveshjeje me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë në vlerë prej 351 mijë eurosh.


MË SHUME NGA Kosovë