Policia parandalon kontrabandë me barna dhe emigrantë të jashtëligjshëm
M.Shefkiu/RTKlive
Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga pikat kufitare për mbikëqyrje të kufirit nga rajoni i Gjilanit dhe Hanit të Elezit, në dy raste të ndara, kanë parandaluar aktivitete kriminale të kontabandimit me mallra dhe të migrimit ilegal.
Sipas njoftimit të Policisë, me datë 24 tetor, në pikën kufitare Gjilan përmes rrugëve operative janë pranuar informacione se nga territori i Serbisë ka hyrë një automjet i dyshuar i ngarkuar me mallra që dyshohet të jenë të kontrabanduara.
“Pas pranimit të informacioneve njësitë patrulluese kompetente kanë ndërmarrë veprime për ndalim të mjetit të dyshuar me ç’rast kanë vendosur një pikë kontrolli vëzhguese, ku si rezultat është arritur që të ndalohet automjeti i dyshuar, me targa serbe, i cili kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale. Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur gjithsej 676 pako me barna të llojeve të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, sipas Policisë, është konsultuar prokurori me urdhër të së cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti janë sekuestruar për procedura të mëtejme.
Po ashtu sipas kumtesës së Policisë, në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit janë identifikuar 4 shtetas të huaj të cilët janë gjetur të fshehur në rimorkion e një kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut. Në lidhje me rastin, sipas Policisë, është konsultuar prokurori i shtetit me udhëzim të së cilit janë duke vazhduar të gjitha procedurat e nevojshme policore.























