E mitura e denoncon xhaxhanë e saj për dhunim seksual|Video
Fatos Cervadiku/RTK
Muajt e fundit në Kosovë është ngritur alarm sa u përket dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, të cilat në të shumtën e rasteve kanë ndodhur ndaj personave të mitur.
Së fundmi një e mitur ka raportuar në polici një rast të dhunimit seksual. Por këtë radhë bëhet fjalë për një dhunim që dyshohet të jetë kryer nga i afërmi i viktimës, përkatësisht xhaxhai i saj. Rasti dyshohet të ketë ndodhur vitin e kaluar në Vrellë të Istogut, kur e mitura ishte 14 vjeçe. Për këtë rast është arrestuar personi i dyshuar i moshës 40-vjeç.
Ishte vetë e mitura ajo që dje e ka denoncuar rastin, derisa në kohën kur pretendon se u dhunua nga i afërmi i saj, ishte 14-vjeçe.
Detaje për rastin dha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Kjo çështje penale është raportuar gjatë ditës së djeshme, me ç’rast prokurori i shtetit ka urdhëruar që personi i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre të arrestohet dhe të ndalohet për 48 orë, pasi që të dorëzohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake, ku prokurori i shtetit gjatë kësaj seance do të elaburojë kërkesën e për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, tha Nikçi.
Por personi i dyshuar aktualisht ndodhet në spitalin e Pejës, pasi të hënën është dërguar dhe po vazhdon trajtimin mjekësor nën mbikëqyrje të Policisë.
Sipas të dhënave nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 49 raste të përdhunimeve dhe 64 raste të abuzimeve të tjera seksuale.























