Policia jep sqarime se si ndodhi plagosja në Podujevë
J.Musliu/RTKlive
Policia e Kosovës ka dhënë sqarime për incidentin që ndodhi një ditë më parë në Podujevë, rast të cilin forcat e rendit e kanë cilësuar si tentim vrasje.
Sipas policisë, në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë, të martën pasdite, ka ndodhur një përleshje në mes të dy familjeve, ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore ka pësuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK”, deklaroi policia.
“Pastaj si pasojë e xhamave të thyer, lëndime kanë pësuar edhe dy kalimtarë të rastit”.
Policia deklaron se viktimat meshkuj kosovar të cilëve u është ofruar tretman mjekësor, më pas janë liruar për në shtëpi.
“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, ndërsa edhe dy të dyshuar janë në arrati”.
Motivet për këtë rast ende nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit.
“Njëri i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa tjetri vazhdon trajtimin në QKUK, nën sigurimin e policisë”.























