Një grup kriminal në duart e policisë, u konfiskohen drogë, para e armë
M.Shefkiu/RTKlive
Hetuesit e antidrogës të Policisë së Kosovës nga rajoni i Prishtinës dhe Prizrenit, pas hetimeve disa mujore të rastit të koduar me emrin “Bardhoshi-2” kanë arrestuar tre persona, të cilëve u janë sekuestruar drogë, para, armatim dhe pajisje të tjera për narkotik, njofton Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, mbrëmë rreth orës 16:30 në autostradën Prishtinë - Prizren në fshatin Reshtan të komunës së Suharekës, kanë arrit të ndalojnë veturën e dyshuar të tipit Mercedes, ngjyrë e zezë, me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale K.P. dhe i dyshuari tjetër D. K.
“Pas kontrollit të automjetit në cilësi të provës material janë gjetur dhe sekuestruar: 30.3 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 768.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy telefona celular, një mulli (grinder) i cili përdoret për bluarje të marihuanaës dhe të holla me vlerë 43.10 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas ndaljes së automjetit, Policia ka vazhduar kontrollet dhe në lokacionet e të dyshuarve.
“Me urdhër të Prokurorit kujdestar, nga njësit rajonal i antidrogës në Prishtinë është realizuar kontroll tjetër në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve në rrugën “Muharrem Fejza”, rr.”Ahmet Gashi” dhe rr.”Muhamet Çame” adresa të gjitha në Prishtinë dhe në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë të tjera”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në këtë aksion janë sekuestruar mbi 3.6 kilogramë drogë, tableta të dyshuar për narkotik të llojit Extasy, tri armë zjarri përfshirë dhe kallashnikovë, dy karikatorë, 54 fishekë, para të të gjitha monedhave, telefona celular, peshore digjitale, mulli për bluarjen e drogës, etj.
Pas kompletimit të rastit me vendim të Prokurorit kompetent tre personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për proceduar të mëtejme ligjore.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e dukurive negative dhe veprave penale në përgjithësi, në veçanti luftë e pakompromis do të zhvillohet kundër individëve dhe grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin apo shpërndarjen e substancave narkotike, që paraqesin rrezik potencial për shoqërinë, në veçanti shëndetin e të rinjve tanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.























