Aksion në Leposaviq, konfiskohen pajisje për prodhimin e kriptovalutave
M.Shefkiu/RTKlive
Në një objekt afarist në fshatin Leshak të komunës së Leposaviqit janë konfiskuar pajisje për prodhim të kriptovalutave dhe pijeve të ndryshme joalkoholike dhe alkoolike.
Kështu njofton Dogana e Kosovës, e cila thotë se ky aksion është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbatimit të ligjit, luftimit të kontrabandës dhe dukurive te tjera negative.
Sipas njoftimit të Doganës, në këtë aksion janë konfiskuar: 93 kartela grafike; 8 antminera; 17 pllaka elektronike; 17 furnizues me rrymë; 400 litra pije alkoolike dhe jo alkoolike.
“Gjatë realizimit të këtij aksioni në afërsi është identifikuar dhe ndaluar edhe një automjet i dyshuar i cili ishte duke transportuar gjithashtu mallra të kontrabanduara nga Serbia. Të gjitha produktet janë konfiskuar si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse kundër personave të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Kjo e fundit po ashtu në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, “me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Dogana e Kosovës po ashtu fton edhe qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor.























