Tridhjetë vjet burgim të akuzuarit për vrasjen në Viti
BKT
Foto/ Gjykata Themelore në Gjilan në Facebook
Kronika

Tridhjetë vjet burgim të akuzuarit për vrasjen në Viti

E.Hoti/RTKLive

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar të akuzuarin B. R., për kryerjen e dy veprave penale, vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, thuhet se më 13 korrik 2021, i akuzuari e ka vrarë me dashje viktimën A.R., në qytetin e Vitisë.

“Pas një konflikti fizik në mes pandehurit dhe dy viktimave A. R. dhe B. B., të njëjtit janë takuar përsëri përball Shkollës “Hoxhë Jonuzi” në Viti, ku dy viktimat kanë ndal veturën e tyre, me shkopinj druri në duar, me qëllim që prapë të konfrontoheshin fizikisht me tani të pandehurin B. R., i cili në atë moment del nga vetura e tij dhe me armë zjarri – pistoletë të prodhimit Tisas Zig 14, gjuan nëntë herë në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri A. R. nuk u mbijeton plagëve dhe ndërron jetë, ndërsa viktima B. B. mbetet i plagosur dhe dërgohet për kurim mjekësor në Spitalin e Gjilanit, ku më pas transferohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale; vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)", thuhet në njoftim.

Të akuzuarit masa e paraburgimit i vazhdohet derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ashtu që koha e kaluar në paraburgim prej 13.07.2021, derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.


MË SHUME NGA Kronika