Vetura e godet për vdekje këmbësorin në Ferizaj
Driton Ramadani / RTK
Një person i moshës 64-vjeçare e ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga vetura në orët e mesnatës në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Me datën 01.11.2022 rreth orës 00:05 në fshatin Talinovc të Muhaxherëve nē Ferizaj, ka ndodhur aksident komunikacioni me fatalitet, i përfshirë një automjet i udhëtarëve me targa vendore, të cilin e drejtonte shoferi B.G (M/K) i moshës 44 vjeçar dhe këmbesori N.O ( M/K) i moshës 64 vjeçar. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si shkak i mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, ku për pasojë lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore me autoambulancë në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima/këmbësori ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur Veseli.
Sipas tij, njësia e Hetimeve të Aksidenteve e Komunikacionit Rrugor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt i ka nisur hetimet.
“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksin, ndërsa i dyshuari/shoferi është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, ka shtuar ai.























