Policia arreston në Morinë serbin në kërkim ndërkombëtar
E.Hoti/RTKlive
Polica e Shqipërisë ka bërë të ditur se sot është arrestuar, me qëllim ekstradimi drejt Serbisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
“Në pikën e kalimit kufitar, Morinë, në hyrje të Republikës së SHqipërisë, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol-Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Dejan Stanojeviq, 49 vjeç, banues në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Policisë Shqiptare, gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Beograd, Serbi, pasi Gjykata e Lartë e Beogradit e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Serbisë.
“Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP- Kukës, bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Serbisë. Interpol -Tirana, në bashkëpunim me autoritetet serbe, vijon procedurat për esktradimin e këtij shtetasi”, thuhet në fund të njoftimit.























