Mbyllet qendra e të moshuarve ‘Orenda’ në Pejë
Valjeta Shala /RTK
Është mbyllur qendra e të moshuarve ‘Orenda’, në Pejë. Pronari i kësaj qendre, Anton Rasaj, bëri të ditur për RTK-në se licencën e ka dorëzuar nëpërmjet postës.
Ministria e Financave, më 4 nëntor, ka njoftuar se i është revokuar licenca shtëpisë së pleqve “Orenda” në Pejë, pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës.
Në Pejë, javën që shkoi, në këtë qendër private për përkujdesje ndaj të moshuarve ndodhi një ngjarje, e cila tronditi vendin.
Qendra ‘Orenda’ që ofronte shërbime për të moshuarit nga sot ishte e obliguar të mbyllet, pas revokimit të licencës së saj.
Pronari i kësaj qendre, Anton Rasaj, më parë ka deklaruar se do të padisë institucionet e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për investitor të huaj, ndërsa çështjen e betejës ligjore, tha ai, do t'ua besojë avokatëve vendor dhe atyre zviceran.
























