Gjendet pa shenja jete një 60-vjeçar në Gjilan, dyshohet se u vetëvra
E.Hoti/RTKlive
Një person dyshohet se ka kryer vetëvrasje mëngjesin e së martës në Gjilan.
Policia e Kosovës në Gjilan ka njoftuar se rreth orëve të hershme të mëngjesit ka pranuar një informatë se në një lagje të qytetit të Gjilanit në rrugë është një person i shtrirë.
“Njësitet policore relevante menjëherë i janë përgjigjur rastit po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalur edhe ekipi i emergjencës së bashku me mjekun kujdestar, i cili në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e personit me inicialet A.G. (60 vjeçar)”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri afër trupit të viktimës dhe sipas hetimeve të para dyshohet për rast vetëvrasje.
“Hetimet në lidhje me rrethanat e rastit janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë .























