Mehaj: Nga sot, Ushtria e Kosovës nuk ka kufizim në numër
V.Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Tri Ligje që lidhen e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës i votoi sot Kuvendi. Me miratimin e tyre ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë se avancohet fuqishëm baza ligjore e organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së.
“Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruaj ministri Mehaj.
Tutje, sipas tij, tjetri ligj që mori mbështetjen e deputetëve ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, fuqizimin e FSK-së përmes inicimit të programeve të veçanta financiare për mbështetje të forcës, fuqizimin e rolit të Shtabit të Përgjithshëm, e mbi të gjitha ka shkruar ai, heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së.
“Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, rregullon kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes. Gjithashtu, ky ligj rregullon edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil, si dhe fuqizimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes civile demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Miratimi i këtyre tri ligjeve sipas Mehajt, mundëson rishikimin e akteve në fuqi si dhe nxjerrjen akteve tjera, si rregulloreve dhe udhëzimeve administrative, për sistemin organizativ dhe funksional të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe sistemin organizativ dhe operacional të FSK-së.
Mehaj këto Ligje i ka quajtur si sukses i madh për Republikën sepse siç thotë kanë avancuar bazën ligjore në përputhje me interesat shtetërore dhe standardet më të larta të legjislacionit të vendeve anëtare të NATO-s.
























