Komuna e Prishtinës sqaron tarifat e parkingut nëntokësor
E.Hoti/RTKlive
Pas ankesave të shumta lidhur me çmimet, Komuna e Prishtinës ka dalë me sqarime lidhur me tarifat e Parkingut Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë.
Sipas njoftimit për media nga Komuna e Prishtinës, Parkingu Nëntokësor, është i pari i natyrës së Partneritetit Publiko-Privat (PPP), me teknologji të avancuar dhe standarde të larta urbane.
“Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë", shkruan në sqarim.
"Duam t’ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira".
Komuna deklaron se në rastin e Parkingut Nëntokësor, bëhet fjalë për partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.
"Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”, shkruan në njoftim.
Komuna po ashtu njofton se çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta.
“Gjithsesi, qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – "Qendra", dhe Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës", thuhet në fund të njoftimit.























