Vihet në pranga kosovari në kërkim ndërkombëtar
E.Hoti/RTKLive
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare të Shqipërisë, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar R. S., banues në Kosovë.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden në Gjermani, pasi Gjykata e Hanoverit, Gjermani, me vendimin e datës 12.07.2018, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Shkelja e ligjit të narkotikëve", "Shkelja e ligjit mbi armët" dhe "Vjedhja në kuadër të grupit kriminal", parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar dhe shkurt, të vitit 2018, në cilësinë e pjesëtarit të një grupi kriminal, është përfshirë në disa vjedhje në banesa dhe në biznese, në Hanover.
“Gjatë kontrollit në banesën e tij, në vitin 2018, janë gjetur municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë”, shkruan në njoftim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.























