Krasniqi takon kryetarët e Degëve të PDK-së, flasin për zhvillimet në vend
N.Mekolli /RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e Degëve të PDK-së, për të diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do të ketë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel si dhe për zgjedhjet në Rininë Demokratike të Kosovës.
Bëhet e ditur se kryetarët e Degëve e kanë informuar kryetarin e PDK-së për procesin e filluar për zgjedhjet e Rinisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kanë theksuar se platforma e lansuar për regjistrimin e të rinjve për tu bërë pjesë e procesit zgjedhor rinia2022.org po tregohet shumë efikase, ku të rinjtë e të gjitha qyteteve të Kosovës do të trajtohen barabartë në garë.
“Në këtë takim me kryetarët e Degëve, kryetari Krasniqi i ka informuar ata edhe për qëndrimet politike rreth zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka njoftuar ata edhe për vizitën zyrtare që do ta zhvillojë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel... Krasniqi tha se të hënën dhe të martën do të zhvillojë takime në Bruksel me një sërë euro-parlamentarësh, por po ashtu do të takojë edhe ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të kësaj partie.
Gjithashtum bëhet e ditur se, Krasniqi do të vazhdojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për tri ditë rresht në Washington DC do të takojë përfaqësues në Kongres, në dy dhomat, Senat dhe Dhomën e Përfaqësueseve. Atje, Krasniqi do të takohet edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa do të ketë takim edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.























