Sekuestrohen rreth 58 kg lëndë narkotike kanabis, në pranga 4 persona
rtsh.al
Policia e Shtetit bëri të ditur se ka finalizuar një operacion policor anti-kanabis i koduar “Bodin”. Operacioni, sipas policisë, është zhvilluar me metoda hetimore proaktive.
Dy persona (babë e bir), të cilët janë arrestuar në kushtet e flagrancës, kultivonin bimë narkotike në tokën e tyre, në fshatin Bobin, dhe më pas i përpunonin ato.
Në pranga gjithashtu, ka rënë edhe administratori i Njësisë Administrative Gracen, si dhe kryeplaku i fshatit Bodin, në Njësinë Administrative Gracen, Elbasan.
Në kuadër të këtij operacioni, në hetim janë edhe 3 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
"Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSH dhe ata të DVP Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore të realizuar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “Bodin”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
- S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Z. B., 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir).
Nga kontrolli i ushtruar në tokën e këtyre shtetasve, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
- F. S., 58 vjeç , banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan;
- R. B., 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.
Po në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht 2 shtetas, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.























