Gjashtë të lënduar në aksident trafiku
Jeton Musliu/RTKlive
Nga përplasja mes një veture edhe një furgoni, gjashtë persona kanë pësuar lëndime.
Ky aksident trafiku, sipas policisë, ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Drenoc të Klinës.
Driton Rugova, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, deklaroi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:20 minuta.
“Të lënduarit janë dërguar ne Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, ka deklaruar zëdhënësi Rugova, por pa dhënë më shumë sqarime për shkaqet e këtij aksidenti.
Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, vetëm gjatë 23 vjetëve të fundit, si pasojë e aksidenteve në trafik, kanë humbur jetën rreth 2 mijë persona kurse mijëra të tjerë janë lënduar.
Brenda vitit në Kosovë, jetën humbin mesatarisht rreth 80 persona në aksidente trafiku, kryesisht nga mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Përndryshe, ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit për të gjithë automjetet, ka filluar nga data 15 nëntor dhe do të zgjasë deri më datën 15 mars.























