Neymar sheh pesë favoritë, tregon se me Messin bëjnë shaka për finalen
Uran Krasniqi/RTKLive
Neymar ka thënë se janë pesë skuadra që mund të fitojnë titullin në Botërorin e Katarit.
"Unë mendoj se favoritë janë Argjentina, Gjermania, Spanja dhe Franca. Mendoj se këto katër skuadra së bashku me Brazilin janë plotësisht të afta për të arritur në finale", është shprehur ai.
Neymar ka treguar se ai dhe shoku i tij i skuadrës në Paris Saint-Germain, Lionel Messi, kanë bërë shaka për një finale të mundshme të mes Brazilit dhe Argjentinës.
“Ndonjëherë bëjmë shaka për të luajtur në finale me njëri-tjetrin. I them atij se do të fitoj kundër tij e do të jem kampion dhe qeshim shumë", ka treguar braziliani.
Neymar ka thënë se nuk do të ndihej i paplotë nëse në listën e fitoreve të tij personale nuk do të ishte një kupë bote. “Jo, në karrierën time kam arritur gjëra përtej imagjinatës sime. Pra, nëse do të përfundonte sot karriera ime, unë do të isha ende njeriu më i lumtur në botë”, ka thënë ai.
Neymar ka thënë se nuk ndjen presion të numrit dhjetë, të cilin te Brazili e kanë bartur Pele, Ronaldinho dhe Zico.
"Jam i lumtur që mund ta bartë numrin dhjetë në ekipin brazilian dhe të bëj histori. Është krenari dhe nder i madh të jesh pjesë e grupit të lojtarëve që kanë veshur atë dhe kjo më bën të lumtur", është shprehur ai.























