Dhjetë frazat që do të mbeten ikonë e Katar 2022
Qatar 2022

Dhjetë frazat që do të mbeten ikonë e Katar 2022

rtsh

Botërori në Katar nuk u luajt vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Më poshtë do të njiheni me dhjetë deklaratat që janë bërë në këtë kompeticion dhe që nuk do të harrohen lehtë.

1- “Sot ndihem arab, afrikan, homoseksual, emigrant dhe me aftësi të kufizuara…”  (Gianni Infantino, 19 Nëntor)

Numri një i FIFA-s nuk gjeti mënyrë më origjinale për të mbrojtur zgjedhjen që bëri organi që ai drejton për t’i dhënë mundësinë Katarit që të organizonte një event siç është Kupa e Botës. “Ne kemi moral të dyfishtë në këtë çështje. Unë jam europian dhe pyes se kush ndihmon emigrantët që kërkojnë punë? Botërori dhe FIFA e bën një gjë të tillë”, tha mes të tjerash Infantino.

2- “Të gjithë yjet u rreshtuan në linjën e duhur” (Hervé Renard, 22 Nëntor)

Argjentina humbi një ndeshje pas tre vitesh e katër muajsh dhe e bëri pikërisht në debutim në Botëror përballë një skuadre modeste siç ishte Arabia Saudite. Pas 36 ndeshjesh me radhë ishte skuadra e Hervé Renard ajo që mposhti formacionin që para pak ditësh u shpall kampione e Botës. “Të gjithë yjet u rreshtuan në linjën e duhur. Argjentina vazhdon të jetë një formacion fantastik, kampione e Amerikës Latine, me një lojtar fantastik por në futboll ndodhin edhe gjëra të pabesueshme”, tha trajneri francez i suaditëve pasi fituan 2-1 përballë latinëve.

3- “Do ta mundim Kroacinë” (John Herdman, 23 Nëntor)

Humbja minimale përballë Belgjikës i dha mjaft kurajë komisarit teknik të Kanadasë. Në vigjilje të duelit me Kroacinë, John Herdman, nuk u përmbajt dhe shpërtheu: “U thash djemve që i përkasin këtij turneu dhe tani do të mundim Kroacinë. Ne kemi treguar se meritojmë ç’do minutë që jemi këtu”. Këto deklarata të anglezit patën efektin e kundërt pasi Kroacia mundi 4-1 Kanadanë.

4- “Presion? Presion është çfarë do të drekojmë ditën që vjen”. (Otto Ado, 27 Nëntor)

Kishte kaluar vetëm një javë nga starti i Botërorit dhe trajneri i Ganës ishte nga të parët që u vu nën presion. Pas humbjes me Portugalinë, Ganës i duheshin 3 pikët. Gjatë një konference për shtyp Otto Ado i pyetur nëse ndihej nën presion tha: “Është privilegj të rri këtu dhe të jem trajner i Ganës. Ky nuk është presion. Presioni është të mendoni se çfarë do të hani të nesërmen”.

5- “Na eleminoi penalltia me Portugalinë, penallti që FIFA vendosi të mos na e akordonte” (Diego Alonso, 2 Dhjetor)

Lufta ndaj arbitrave nisi që në fazën e grupeve, e cila ishte fatale për Uruguain. Komisari teknik Diago Alosno mbrojti punën e lojtarëve, të cilët u eleminuan nga Koreja e Jugut për shkak të golaverazhit. “Nuk mendoj se barazimi përballë Korsë na eleminoi. Ne na eleminoi penalltia e munguar përballë Portugalisë”, tha komisari teknik i Uruguait. 

6 – “Çfarë ke që shikon o budalla!” (Leo Messi 10 Dhjetor)

Në fund të takimit mes Argjentinës dhe Holandës ndodhi diçka që nuk jemi mësuar ta shikojmë shpesh… Messi vendosi që të tregonte anën e tij të errët. Përveç komenteve negative që pati për punën e bërë nga kryesori Mateu Lahoz apo dhe për taktikat e trajnerit Van Gaal ai nuk priti mirë as autorin e dy golave të Holandës, i cili po i kërkonte të shkëmbenin fanellën. “Çfarë ke që shikon o budalla, çfarë ke që më shikon ashtu o budalla”, iu drejtua Messi, Wout Weghorts.

7-  “Jemi Rocky Balboa-t e këtij Botërori” (Walid Regragui, 11 Dhjetor)

Maroku ishte surpriza e këtij Botërori. Në fazën në grupe eleminuan Belgjikën më pas eleminuan edhe Spanjën e Portugalinë. Kjo ecuri i dha mjaft kurajë trajnerit Walid Rregragui, i cili para gjysëmfinales me Francën tha: “Ne jemi skuadra që të gjithë admirojnë për talent dhe cilësi. Paratë nuk kalojnë kurrë pasionin. Maroku nuk është një mrekulli por punë.  Jemi Rocky Balboa-t e Botërorit”.

8- “Ëndrra ishte e bukur sa zgjati” (Cristiano Ronaldo, 12 Dhjetor)

Cristiano Ronaldo jetoi atë që supozohet të jetë Botërori i tij i fundit i përfshirë në polemika. Ndërprerja e kontratës me Manchester United dhe përballja e tij me trajnerin portugez Fernando Santos, i cili e zbriti në stol në ndeshjen vendimtare, i dha atij një lamtumirë të hidhur. Për këtë arsye, pasi u  eliminua nga Maroku, në çerekfinale, nuk i mbajti dot lotët, rrugës për në dhomat e zhveshjes. Disa orë më vonë ai ka postuar një mesazh emocionues në rrjetet sociale. "Unë dhashë gjithçka në fushë. Nuk ia ktheva kurrë shpinën luftës dhe kurrë nuk hoqa dorë nga ajo ëndërr. Fatkeqësisht, dje ëndrra mbaroi...”, shkroi Ronaldo.

9.- “Nuk kujdesem për ftesat e të dëmtuarve apo të ish-lojtarëve” (Didier Deschamps, 17 Dhjetor)

Kualifikimi për në finale dhe fakti që Karim Benzema luajti një miqësore kundër Leganés me Real Madridin, një ditë më vonë, zbuloi krisjen e raportit mes fituesit të fundit të Topit të Artë dhe trajnerit të tij, Didier Deschamps. I lodhur nga pyetjet e gazetarëve për Benzema-n në konferencat për shtyp, Deschamps e bëri të qartë në prag të finales se nuk ishte problemi i tij nëse lojtari i Real Madrid do të udhëtonte ose jo me Emmanuel Macron për në Katar. “Kam pasur dëmtime, duke përfshirë Karimin, por edhe Lucas Hernandez. Që kur ata u larguan, kam mbajtur 24 lojtarë dhe jam fokusuar te lojtarët që kam. S’kujdesem për ftesat e lojtarëve të dëmtuar apo të ish-lojtarëve”, tha Deschamps.

10 - “Nuk do tërhiqem nga kombëtarja” (Leo Messi, 18 Dhjetor)

Në mes të ekstazës, pasi mori titullin e vetëm që i mungonte, Leo Messi zbardhi misterin; Mund të jetë Botërori i tij i fundit, por jo ndeshja e tij e fundit me Argjentinën. “Nuk po tërhiqem nga kombëtarja. Dua të vazhdoj të luaj për Argjentinën për të nderuar titullin kampion bote. Është titulli që më mungonte dhe ja ku është. Është çmenduri. Ka qenë një pritje e gjatë." Mbreti nuk abdikon.


MË SHUME NGA Qatar 2022