Nata e ‘çmendur’ e tifozëve argjentinas
rtsh
Natë feste në të gjithë Argjentinën për fitoren e Botërorit nga skuadra e drejtuar nga Leo Messi.
Miliona argjentinas qanë, bërtitën dhe përqafuan njëri-tjetrin teksa shikonin ndeshjen, e cila ishte një festival emocionesh. Gjatë ndeshjes, shumë shikues në një shesh publik në Buenos Aires brohoritën emrin e kapitenit Messi.
Për Albiceleste është titulli i tretë kampion bote pas atyre të viteve 1978 dhe 1986, por ata humbën finalet e viteve 1930, 1990 dhe 2014. Shumë tifozë argjentinas kanë nxituar të kujtojnë të madhin Diego Maradona, i cili vdiq dy vjet më parë, duke pretenduar se nga aty ku është ai e çoi skuadrën drejt fitores.
Në Rosario, vendlindja e Messit, dete njerëzish dolën në rrugë për të festuar heroin e tyre vendas që u votua lojtari më i mirë në Kupën e Botës për herë të dytë pas vitit 2014. Njerëzit u derdhën në rrugë pasi Messi ngriti trofeun në qiell dhe vazhduan të festojnë edhe gjatë natës. Kombëtarja e drejtuar nga Messi ka arritur të bashkojë argjentinasit me një ndjenjë gëzimi jo të zakonshme në një vend që ka vite të tëra të mbërthyer nga kriza ekonomike, i cili po vuan një nga normat më të larta të inflacionit në botë dhe me pothuajse katër nga 10 persona që jetojnë në varfëri.
Tifozët e vlerësuan veçanërisht këtë skuadër të drejtuar nga Lionel Scaloni. Edhe presidenti argjentinas, Alberto Fernandez iu bashkua festimeve dhe falënderoi kombëtaren për fitoren.
"Faleminderit lojtarëve dhe ekipit teknik. Ata janë një shembull që nuk duhet të heqim dorë kurrë. Kemi njerëz të mrekullueshëm dhe një të ardhme të shkëlqyer", shkroi Fernandez në rrjetet sociale.
Në një ditë përvëluese vere, Obelisku në qendër të Buenos Aires filloi të mbushej shpejt, ndërsa mijëra njerëz u dyndën në qendër të qytetit për të festuar.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, metroja u shndërrua në një festë ndërsa tifozët mbushën makinat e tyre, duke brohoritur dhe kërcyer nga gëzimi teksa po shkonin për festimet drejt Obeliskut. "Duke mbajtur Leo Messin për dore, ne do të shkojmë deri në fund," brohoriste turma ndërsa euforia pushtoi gjithë vendin.