USAID: 42 për qind e të rinjve të pakualifikuar për punë
BKT
Foto Arkiv/ RTKlive
Kosovë

USAID: 42 për qind e të rinjve të pakualifikuar për punë

E.Hoti/RTKlive

USAID ka lansuar sot aktivitetin e Këshillave Sektoriale për Fuqi Punëtore, si pjesë e aktivitetit “Zhvillimi i fuqisë punëtore i udhëhequr nga sektori privat”.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi tha se zhvillimi ekonomik është partner kyç për një Kosovë demokratike.

Sipas saj, në bazë të të dhënave, 42 për qind e të rinjve të anketuar që kanë marrë aftësitë në shkolla, kanë dalë që nuk janë të përgatitur për tregun e punës.

“Zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës është partner kyç për një demokraci më pjesëmarrje më të gjallë dhe për një Kosovë demokratike e cila po vazhdon të zhvillohet. Por, në mënyrë që sektori privat të lulëzoi si shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik, kompanitë tuaja kanë nevojë për punëtorë të specializuar dhe të aftë. Sipas të dhënave më të fundit, 42 për qind e të rinjve të anketuar që kanë marrë aftësitë në shkolla ka dalë që nuk janë të përgatitur për tregun e punës”, tha Salahi.

Ndërsa ministrja e arsimit, Arbërije Nagavci e cila foli për planet e MASHTI-t rreth zhvillimeve të nevojshme të fuqisë punëtore, tha se aftësimi profesional është një nga prioritetet e qeverisë.

“Arsimi dhe aftësimi profesional është një nga prioritetet e qeverisë sonë dhe konsiderohet me të drejtë si shtyllë kryesore e çdo shteti pasi që kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe social të secilës shoqëri. Si qeveri jemi zotuar në përafrim të kualifikimeve të arsimit dhe aftësimit profesional drejt nevojave të tregut të punës përmes inicimit të arsimit dual që filluam sivjet me katër profile dhe besoj vitin e ardhshëm do të jemi më të suksesshëm në profile të reja, por po ashtu edhe në mes të inicimit dhe intervenimeve të tjera në sektorin e arsimit profesional”, tha Nagavci.

Ajo tha se e konsideron këtë projekt të një rëndësie të veçantë pasi që synon të mobilizojë sektorin privat përmes shoqatave sektoriale për të identifikuar dhe artikular më mirë nevojat e sektorit për kualifikime, si dhe për të evokuar drejt ofrimit të tyre nga institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional, qoftë atyre publike apo edhe private.

Kurse udhëheqësja e aktivitetit nga IREX, Valmira Haxhiaj - Gushlla, tha se këto këshilla do të identifikojnë nevojat  dhe dizejnimin e zgjidhjeve inovative për zhvillimin e fuqisë punëtore.

“Jemi takuar për lansimin e Këshillave Sektorial për Fuqi Punëtore në tre sektorë me potencial të lartë zhvillimor në Kosovë si TIK, përpunimi i drurit dhe agrobiznes. Këto këshilla do të udhëheqin aktivitetet tona për identifikimin e nevojave si dhe për dizajnimin e zgjidhjeve inovative për zhvillimin e fuqisë punëtore kundrejt nevojave të tyre. Këshillat kanë anëtarë nga sektori privat, publik dhe shoqerisë civile”, shtoi ajo.


MË SHUME NGA Kosovë