Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë RTK-në, shqetësues mbetet financimi
Jeton Musliu/RTKlive
Pas misionit dyditor faktmbledhës në Prishtinë më 15-16 nëntor 2022, partnerët e ‘Platformës për Sigurinë e Gazetarëve’ të Këshillit të Evropës, publikuan gjetjet e tyre mbi lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.
Presioni politik ndaj gazetarëve rrezikon të minojë përparimin e lirisë së mediave në Kosovë. Kështu deklarohet në raportin e hartuar nga organizatat ndërkombëtare që merren me lirinë e medias, e të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”.
Megjithatë, në mesin e përparimeve sa i përket lirisë së mediave në Kosovë, përmendet Radiotelevizioni i Kosovës.
Por, organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias dhe gazetarëve, paralajmërojnë se derisa Qeveria aktuale ka bërë përparim të rëndësishëm në depolitizimin e transmetuesit publik, organeve rregullatore dhe kuadrit legjor për mjedisin mediatik, megjithatë retorika toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës, rrezikon të minojë progresin.
Gjatë vizitës në Kosovë, organizatat u takuan me Asociacionin e Gazetarëve, redaktorë, gazetarë, ministra, zyrtarë qeveritarë, autoritete gjyqësore, polici, përfaqësues të Komisionit Parlamentar për Media, organet rregullatore, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Transmetuesin Publik.
“Vlerësimi ynë është se Kosova në përgjithësi vazhdon të ketë një mjedis mediatik të gjallë dhe pluralist. Vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor, i cili është kryesisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe përmban garanci të forta kushtetuese”, shkruan në këtë raport të publikuar nga “Reporterët pa Kufij”.
Sidoqoftë, në tërë këtë situatë, bazuar në raport, RTK mbetet një nga përparimet më të mëdha në skenën mediatike kosovare.
“Zhvillimet pozitive përfshijnë procesin e depolitizimit të transmetuesit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës, përmes emërimit të anëtarëve të rinj të Bordit, në një proces përzgjedhjeje transparent dhe të bazuar në merita”, shkruan në këtë raport.
“Janë të mirëseardhura edhe hapat fillestarë drejt përmirësimit të pavarësisë funksionale të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) përmes emërimeve profesionale”.
Në nivel gjyqësor, raporti vëren se një plan i ri veprimi strategjik për prioritizimin e rasteve që përfshijnë gazetarë është gjithashtu një zhvillim pozitiv, siç është edhe shtrirja e ndihmës juridike falas për gazetarët dhe punonjësit e medias.
“Informacioni që delegacioni mori në lidhje me trajnimin për prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe policinë që synojnë trajtimin e rasteve që përfshijnë gazetarë dhe media në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, janë të mirëseardhura”, shkruan në këtë raport.
Organizatat faktmbledhëse lavdërojnë Qeverinë e Kosovës për veprimin e saj konkret për të ofruar strehim për gazetarët ukrainas, që shërben si model solidariteti për vendet e tjera evropiane që duhet të ndjekin.
Pavarësisht progresit të rëndësishëm në këto fusha, raporti vëren se siguria e gazetarëve dhe mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve, vazhdon të paraqesë sfida për peizazhin e përgjithshëm të lirisë së medias.
“Përderisa sulmet fizike mbeten të rralla, kërcënimet serioze janë dokumentuar vitin e fundit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Procesi gjyqësor në çështjet penale dhe civile mbetet i ngadaltë dhe gazetarët shprehën shqetësimin për mungesën e ndjekjeve penale”, shkruan në këtë raport.
Më tej, rezulton se përfaqësuesit e mediave kanë vënë në dukje si një shqetësim të veçantë, retorikën përçarëse dhe fushatat shpifëse të drejtuara ndaj gazetarëve nga disa politikanë dhe zyrtarë publikë, përfshirë nga partia qeverisëse, e cila sipas dokumentit, po krijon një klimë në rritje armiqësie kundër medias.
“Ata thanë se këto sulme verbale dhe përpjekje nga figurat politike për të përçarë komunitetin gazetaresk, ose për të portretizuar media të caktuara si aktorë politikë, mund të çojnë në kërcënime, ngacmime në internet dhe dhunë fizike”, shkruan në këtë raport të “Reporterëve pa Kufij”.
Raporti vëren se siguria e të gjithë gazetarëve që raportojnë për zhvillimet në veri të Kosovës është një pjesë që bartë shqetësim serioz.
“Qasja në dokumente dhe informacione në gjuhën serbe është sfiduese. Mosndëshkimi i rrënjosur për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë midis 1998 dhe 2005, duhet të trajtohet”, shkruan në raport, derisa shpjegohet se delegacioni dëgjoi angazhimet e nivelit të lartë nga prokuroria për vazhdimin e këtyre hetimeve. “Por, nuk u paraqit asnjë provë për përparim domethënës në këto raste”.
Sidoqoftë, në këtë dokument shkruan se pavarësisht reformave pozitive për menaxhim të pavarur, transmetuesit publik, RTK-së, i mungon një model i qëndrueshëm financimi.
“Financimi vjetor u shkurtua në vitin e kaluar dhe aktualisht është në pikën më të ulët në dekadën e fundit, gjë që po minon aftësinë e transmetuesit publik për të përmbushur kërkesat e programimit dhe për të siguruar që transmetuesi publik mund të përmbushë misionin e tij të shërbimit publik”, shkruan në raport. “Amendamentet e shumëpritura të Ligjit për Radion dhe Televizionin e Kosovës mbeten të bllokuara”.
Në fushën e rregullimit të mediave, delegacioni saktëson se dëgjoi shqetësime serioze për procesin e rekrutimit të ardhshëm të anëtarëve të mbetur të KPM-së nga Kuvendi i Kosovës.
“Nëse kryhet në mënyrë jo transparente, kjo do të dëmtonte procesin e mëparshëm të emërimeve dhe do të dëmtonte rëndë besimin e publikut në institucion”.
Një problem tjetër që është evidentuar është ai i përkeqësimit të transparencës nga ana e Qeverisë. “Përfaqësuesit e medias shprehën shqetësim për përkeqësimin në rritje të klimës për transparencë dhe qasje në informacion nën qeverinë aktuale”, shkruan në raport.
“Gazetarët vënë re në veçanti mungesën e opsioneve për komunikim me zyrtarët ose aftësinë për të pyetur rregullisht ministrat dhe kryeministrin në konferencat për shtyp”.
Në dokument saktësohet se përfaqësues të medias përshkruan gjithashtu mungesën e vullnetit politik për të nxitur një klimë të qeverisjes më transparente në raport me median.
Delegacioni thekson gjithashtu se ndërsa shpifja është dekriminalizuar, paditë strategjike të njohura si SLAPP kundër mediave dhe gazetarëve, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për mediat e pavarura.
Nga 180 vende në botë të monitoruara, sipas indeksit të lirisë së medias, Kosova radhitet në vendin e 61.























