Luis Enrique: E padrejtë nëse Messi nuk e fiton Kupën e Botës
Uran Krasniqi / RTKLive
Luis Enrique konsideron se do të ishte e padrejtë që Lionel Messi t`i jepte fund karrierës së tij pa fituar Kupën e Botës dhe ai do të donte që, nëse Spanja dështon, Botërorin e Katarit ta fitonte Argjentina.
Janë të shumë ata që Botërorin e Katarit e shohin si "trenin e fundit" për Lionel Messin. Kjo pasi ai ka fituar çdo gjë në futboll, por jo edhe një kupë bote.
“Nëse Spanja nuk e fiton Kupën e Botës, le ta fitojë Argjentina”, ka thënë Luis Enrique të premten. “Do të ishte e padrejtë që Messi të tërhiqej pa Kupën e Botës”.
Trajneri spanjoll ka thënë se Brazili dhe Argjentina janë favoritët më të mëdhenj për të fituar titullin, kurse më pas, sipas tij, vijnë Franca dhe Gjermania. "Vetëm pas tyre janë Spanja dhe Holanda", ka thënë ai.
Argjentina fillon fushatën e saj në Grupin C kundër Arabisë Saudite të martën e ardhshme përpara se të përballet me Poloninë dhe Meksikën.























