Benzema: Arsyeja më tha t`ia lë vendin tim dikujt tjetër
Uran Krasniqi/RTKLive
Karim Benzema ka reaguar pas lajmit se ai do të mungojë në Botërorin e Katarit si rezultat i një lëndimi. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se arsyeja e ka shtyrë që të tërhiqet nga pjesëmarja.
Sipas asaj që raportohet, riaftësimi i francezit merr kohë tri javë, çka do të thotë se në rast se Franca do të kalonte në fazën nokaut, atëherë Benzema nuk përjashtohet se do të mund të luante, por megjithëkëtë futbollisti ka vendosur ta lirojë vendin e tij për dikë tjetër në listën e futbollistëve të Francës.
"Në jetën time nuk dorëzohem kurrë, por sonte duhet të mendoj për ekipin si gjithmonë, kështu që arsyeja më thotë t'ia lë vendin tim dikujt që mund të ndihmojë ekipin tonë të ketë një Botëror të mirë. Faleminderit për të gjitha mesazhet tuaja të mbështetjes", ka shkruar Benzema.
Futbollisti i Real Madridit para një muaji mori "Topin e Artë", gjë që konfirmoi formën e tij të mirë gjatë kësaj kohe.























