“Tre Luanët” fitojnë me goleadë ndaj Iranit
BKT
Qatar 2022

“Tre Luanët” fitojnë me goleadë ndaj Iranit

B. Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Kombëtarja e Anglisë arriti në një fitore të pastër 6:2 ndaj Iranit në ndeshjen e parë të Kupës së Botës “Qatar 2022”, duke i rritur shpresat e “Tre Luanëve” për një ecuri të fortë në këtë Botëror.

Skuadra e Gareth Southgate ishte dominuese gjatë gjithë ndeshjes dhe ai mund të shqetësohet vetëm për lëndimin e mbrojtësit Harry Maguire në pjesën e dytë, por edhe për dy golat e pësuar ndaj një rivali si Irani. Rezultati u zhbllokua në minutën e 35-të, me golin e mesfushorit Jude Bellingham. Epërsinë në 2:0 e shtoi Bukayo Sako, në minutën e 43-të, derisa për golin e tretë u përkujdes Raheem Sterling, në minutën e tretë shtesë. Pavarësisht zëvendësimeve në ekip nga përzgjedhësi iranian, Carlos Queiroz, nuk pati ndryshime në lojë. Saka shënoi golin e dytë në minutën e 62-të për 4:0, derisa tre minuta më vonë, Mehdi Taremi shënoi një gol të bukur ngushëllues për Iranin. Megjithatë, Marcus Rashford, sapo hyri në lojë në minutën e 76-të mori një top të bukur nga Harry Kane për të çuar shifrat në 5:1. Në minutat e fundit, një tjetër lojtar i ardhur nga bankina, Jack Grealish, shënoi për anglezët për rezultatin 6:1, teksa në kohën shtesë u akordua një penallti për Iranin me ndërhyrjen e VAR-it, të cilën në gol e shndërroi Mehdi Taremi, për rezultatin përfundimtar 6:2.

Anglia e nis furishëm Botërorin, shënon tre gola në pjesën e parë kundër Iranit

(E plotësuar) Kombëtarja e Anglisë e ka nisur në mënyrë të furishme Kupën e Botës “Qatar 2022”. “Tre Luanët” e kanë mbyllur me epërsi prej tre golash pjesën e parë kundër Iranit (3:0), duke e mbizotëruar plotësisht lojën.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 35-të, me golin e mesfushorit Jude Bellingham. Epërsinë në 2:0 e shtoi Bukayo Sako, në minutën e 43-të, derisa për golin e tretë u përkujdes Raheem Sterling, në minutën e tretë shtesë.

Formacionet zyrtare Angli-Iran

Anglia dhe Irani në orën 14:00 do ta zhvillojnë përballjen e tyre në Kupën e Botës ‘Qatar 2022’, në kuadër të Grupit B, e cila transmetohet drejtpërdrejt në RTK në të gjitha platformat.

‘Tre Luanët’ janë favoritë për fitore, ndërsa Irani synon të shkaktojë befasi. Dy trajnerët tanimë kanë publikuar edhe formacionet zyrtare për këtë duel.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka zbuluar përbërjen në të cilën e ka gjetur vendin Harry Maguire.

Gareth Southgate vendosi për një formacion 4-3-3 me Pickford në portë, Trippier Stones, Maguire dhe Shaw në mbrojtje, Rice, Bellingham dhe Mount në mesfushë dhe Saka, Sterling dhe Kane në sulm.

Ajo që është e qartë përpara ndeshjes është se kapiteni Kane nuk do ta mbajë shiritin me ngjyrat e ylberit, si mbështetje për komunitetin LGBT+. Në fakt, Anglia, si dhe tetë kombëtaret e tjera evropiane hoqën dorë nga shiriti shumëngjyrësh pasi FIFA i kërcënoi me dënime të rënda.

Megjithatë, Southgate zbuloi se lojtarët anglezë do të dërgojnë një mesazh përpara fillimit të ndeshjes. Ai konfirmoi se "Tre Luanët" do të bien në gjunjë.

“Ne biseduam dhe vendosëm që duhet të gjunjëzohemi. Kemi luftuar për këtë kauzë për një kohë të gjatë si ekip. Besojmë se është një mesazh i fortë që do të udhëtojë nëpër botë”, tha trajneri i Anglisë, duke paralajmëruar veprimin e gjunjëzimit, i cili tash e sa kohë përdoret në futbollin anglez si formë mesazhi kundër racizmit dhe diskriminimit.

Formacionet zyrtare:

Anglia: 1. Jordan Pickford, 3.Luke Shaw, 5.John Stones, 6.Harry Maguire, 12.Kieran Trippier, 4.Declan Rice, 10.Raheem Sterling, 17.Bukayo SAKA, 19.Mason Mount, 22. Jude Bellingham, 9.Harry Kane.

Irani: 1.Ali Beiranvand, 2.Sadegh Moharrami, 5.Milad Mohammadi, 15.Roozbeh Cheshmi, 19.Majid Hosseini, 3.Ehsan Haji Safi, 18.Karimi Ali, 21.Ahmad Noorollahi, 7.Alireza Jahanbakhsh, 8.Morteza Pouraliganji, 9.Mehdi Taremi.