23:11 / 21.11.2022
Bale pas barazimit me SHBA-n: Nuk luajtëm mirë
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Asi i Uellsit, Gareth Bale pas barazimit me SHBA-n, ka thënë se skuadra e tij, nuk bëri lojë të mirë në pjesën e parë.
SHBA dhe Uellsi sonte luajtën baras 1-1, në kuadër të Grupit B në Kupën e Botës ‘Katar 2022’.
Bale, i cili shënoi golin e barazimit nga penalltia, e pranon se në fraksionin e parë të lojës skuadra e tij nuk bëri paraqitje të mirë.
“Të jem i sinqertë, ne nuk luajtëm mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë dhamë maksimumin për të barazuar rezultatin duke luftuar si çdo herë”, tha Bale.
Pas ndeshjeve të para në Grupin B, kryeson Anglia me tri pikë, kurse, SHBA dhe Uellsi kanë nga një pikë, derisa Irani është e fundit pa pikë.























