“Qatar 2022”, sot dita e Messit dhe e kampionëve në fuqi
B. Halimi / RTKlive
Dita e tretë e Botërorit të 22-të të futbollit “Qatar 2022” rezervon paraqitjen e yllit më të madh të futbollit, Lionel Messi si dhe të ekipit kampion në fuqi, Francës.
Dita e sotme në Botëror nis me duelin ndërmjet Argjentinës dhe Arabisë Saudite, në “Lusail Stadium”, në orën 11.00, ku ekipi i Messit është favorit absolut.
Madje, argjentinasit konsiderohen si një nga favoritët për ta fituar Kupën e Botës në Katar, prandaj në ndeshjen e tyre hapëse në kuadër të Grupit C, duhet të tregojnë se janë të gatshëm për një rrugë të gjatë në këtë turne.
Në kuadër të të njëjtit grup, në orën 17:00, në “974 Stadium” do të ballafaqohen Meksika dhe Polonia. Polakët të udhëhequr njëri nga sulmuesit më të mirë të ditëve të sotme, Robert Lewandowski, synojnë të dëshmojnë se janë ekip që mund të pretendojnë më shumë se sa kalimin e grupit. Në anën tjetër, Meksika tradicionalisht është treguar kundërshtar i fortë, sidomos për kombëtaret evropiane.
Ndërkaq, në duelin e parë të Grupit D, Danimarka është favorit ndaj Tunizisë (14:00) dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores do të mund t’ia vështirësonte punët për kalim në 1/16 e finales Eriksenit me shokë. Njëjtë mund të thuhet edhe për ndeshjen tjetër të këtij grupi, ku Franca e fillon mbrojtjen e titullit kundër Australisë, duel i cili zhvillohet në orën 20:00.
Sot në RTK
11:00 Argjentinë - Arabi Saudite
14:00 Danimarkë - Tunizi
17:00 Meksikë - Poloni
20:00 Francë - Australi























