Një muaj paraburgim të dyshuarit për dhunimin e 12-vjeçares në Ferizaj
E.Hoti/RTKlive
(Plotësuar) Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar të marten masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.S., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunim ndaj një të miture.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, thuhet se ekziston dyshimi se i pandehuri, më 20 nëntor të këtij viti e ka keqpërdorur seksualisht të miturën në shtëpinë e tij.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri me datë 20 nëntor 2022, në kohë të pacaktuar, në një fshat në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, me ç`rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën”, thuhet në njoftim.
Ferizaj, dyshohet për dhunimin e një vajze 12-vjeçe
Një rast i dhunimit raportohet të ketë ndodhur mbrëmë në Ferizaj.
Një grua në Ferizaj ka raportuar se vajza e saj e moshës 12 vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe se nuk dinte për vendndodhjen e saj.
Njësitë policore kanë arritur të gjejnë viktimën, ndërsa është arrestuar edhe një i dyshuar.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj e moshës 12 vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dinte për vendndodhjen e saj. Njësitë policore kanë arrite të gjejnë viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24- orësh të Policisë së Kosovës.
Policia po e heton rastin si "dhunim".























