Gjonbalaj: Sauditët ishin të përpiktë në aspektin taktik
B. Halimi / RTKlive
Analisti i RTK-së në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, Malësor Gjonbalaj, duke e komentuar humbjen befasuese të Argjentinës nga Arabia Saudite (1:2), ka theksuar se ka qenë i befasuar me lojën e “Gauçosëve” dhe neglizhencën e tyre gjatë këtij 90 minutëshi.
“Arabia Saudite ishte e përpiktë në realizimin e detyrave taktike. Me vetë faktin se argjentinasit ishin shtatë herë në pozitë jashtë loje, do të thotë se ata ishin në një vijë. Loja e Argjentinës nuk rezultoi aspërsëafërmi me kontigjentin e këtij ekipi”, ka theksuar Gjonbalaj, sipas të cilit Argjentinës i ka kushtuar edhe mospërvoja në turne të mëdha e trajnerit Lionel Scaloni.
Ai meritat për fitoren e sauditëve ua ka atribuuar trajnerit francez, Hervé Renarde dhe portierit dhe vijës së mbrojtjes. “Ata ishin fenomenal. Një ndeshje e fituar me plotë meritë si rrjedhojë e një përgatitje të shkëlqyeshme taktike nga ana e trajnerit”, ka shtuar ai.
Pavarësisht kësaj humbje të rëndë, Gjonbalaj beson se Argjentina do të arrijë të këndellet.
“Kjo humbje nuk do të thotë që Argjentina nuk është pretendente. Pavarësisht kësaj që ndodhi sot ajo mbetet favorite për ta fituar këtë Botëror”, ka thënë Gjonbalaj.























