Morina: Argjentinës i kushtoi mendjemadhësia e lojtarëve
B. Halimi / RTKlive
Trajneri i njohur Arbnor Morina mendon se humbja e Argjentinës nga Arabia Saudite ndodhi për shkak të mendjemadhësisë së futbollistëve të kombëtares latinoamerikane.
“Në këtë ndeshje pamë një mendjemadhësi të papranueshme te futbollistët e Argjentinës dhe një vetëmohim dhe disiplinë taktike deri në perfeksion të futbollistëve të Arabisë Saudite”, ka vlerësuar Morina, duke e analizuar humbjen e papritur të Messit me shokë në RTK.
Ai ka thënë se nuk është rastësi që ka pasur aq shumë pozita jashtë loje të Argjentinës në këtë ndeshje.
“Sa ka qenë e mirë vendosja e lojtarëve të Arabisë Saudite, aq i pakuptueshëm ka qenë veprimi i futbollistëve të Argjentinës gjatë ndeshjes. Thjesht trajnerit i doli loja nga skema taktike, por i doli edhe Messi nga skema, sepse të gjitha lojtarët dëshironin të dëshmoheshin. Nuk munden 10 vetë ta udhëheqin lojën. Ne, sot e kemi parë në disa momente se si Messi shikonte i hutuar sepse e merrnin përsipër lojën disa që realisht e prishnin skemën taktike”, ka shtuar Morina.
Ai ka thënë se është e çuditshme që një ekip kaq i madh të bie në kurthin e ofsajdit 7-8 herë, teksa nuk e ka fajësuar trajnerin Scalone, pasi sipas tij ai është i njëjti që ka realizuar 36 ndeshje pa humbje.























