11 shkolla në Podujevë mbesin pa ngrohje|Video
Kosovë

11 shkolla në Podujevë mbesin pa ngrohje|Video

Donika Sherifi /RTK

Nxënësit e 11 shkollave në Podujevë ka kohë që procesin mësimor po e mbajnë pa ngrohje. Shkak për këtë është bërë shkëputja e njëanshme e kontratës nga operatorët furnizues me lëndë djegëse.

Në këto ditë kur temperaturat kanë shënuar rënie, nxënësit e 11 shkollave në Podujevë kanë mbetur pa ngrohje. Kjo vjen si pasojë e shtrenjtimit të lëndëve djegëse, derisa shumica e këtyre shkollave përdorin peletin për ngrohje.

Drejtori i shkollës “Shaban Shala”, Nusret Ismaili, tregoi për vështirësitë e zhvillimit të procesit mësimor pa ngrohje.

“Fatmirësisht këtë muaj nëntor e kemi më të ngrohtë. Në anën tjetër në shkollën tonë së fundi e kemi pasur një donacion nga Banka Botërore për izolim të shkollës dhe renovimin e ngrohjes qendrore. Shkolla është e izoluar dhe sigurisht që ka nevojë të këtë ngrohje. Por, siç e dimë edhe në të gjitha vendet tjera ka problem me lëndë djegëse për shkak të shtrenjtimit" , thotë Nusret Ismaili  drejtor i shkollës “Shaban Shala” në Podujevë.

Prindërit që po i sillnin fëmijët në mësim, nuk pranuan të flasin. Ndërsa drejtori i arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, tregoi se deri te kjo situatë ka ardhur pas shkëputjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga operatori furnizues.

 “Arsyeja pse kanë mbetur është se operatori ekonomik që ka pasur kontratë me komunën, njëanshëm e ka bërë shkëputjen e kontratës. Ne jemi detyruar që të zhvillojmë procedurat e prokurimit dhe së shpejti do të bëhet zgjidhje me furnizim me pelet për këto 11 shkolla", thotë Avni Fetahu,  drejtor i arsimit, Podujevë.

Ai shtoi se procesi mësimor në të gjitha këto shkolla po mbahet i rregullt në përjashtim të njërës shkollë e cila ka reduktuar orarin për shkak të të ftohtit. Teksa tha se brenda  tre -katër  ditësh pritet të bëhet furnizimi më lëndë djegëse.


MË SHUME NGA Kosovë