Mbyllja e rrugës `Xhorxh Bush`, për motive festive
Foto/ Komuna e Prishtinës
Kosovë

Mbyllja e rrugës `Xhorxh Bush`, për motive festive

Majlinda Doda - Radio Kosova

Që nga kjo e shtune, do të mbyllet për qarkullim Rruga “Xhorxh Bush” në kryeqytet, për, siç konfirmohet nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, motive festive. Por, kjo nuk mirëpritet mirë nga bizneset që operojnë në këtë rrugë, përderisa për disa nga qytetarët, kjo është një zgjidhje e mirë.

Qasja për automjetet që përshkojnë Rrugën “Xhorxh Bush”, do të jetë e bllokuar për rreth një muaj e gjysmë.

Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, tha për Radio Kosovën, se ajo rrugë do të shndërrohet në ambient festiv për fundvit.

 “Një pjesë e kohës na nevojitet për përgatitje të asaj pjese, në pjesën e dytë të dhjetorit do të vendosën shtëpizat, do të ketë kënde të ushqimit, pije dhe skenë ku do të ketë shfaqje të ndryshme muzikore. Do të jetë hapësirë e festës, ngjashëm me çfarë ka ndodhur në vitet e tjera, por këtë herë edhe më mirë, dhe në një ambient tjetër të ri”, Zogaj.  

Disa nga qytetarët që ka intervistuar Radio Kosova, thonë se me këtë vendim, Prishtina sadopak do të duket festive.

 “E mbështes gjithsesi. Pse mos të bëhet si shesh! Ta dimë edhe ne që po na vijnë festat e  fundvitit. Le të ecin pak këmbë”, shprehet njëri nga qytetarët.

Por, jo të gjithë e mirëpresin këtë vendim të komunës. Ibrahimi, operon më një kioskë të vogël në Rrugën “Xhorxh Bush”. Ai thotë se kjo i dëmton tej mase në furnizim.

 “Ai lajm na ka shqetësuar, sepse gjithë furnitorët vijnë çdo ditë me artikuj të ndryshëm. Kjo është e dëmshme për bizneset e vogla dhe të gjithë ata që punojnë në këtë pjesë, dhe nuk di si do bëhet zgjidhja, sepse janë artikuj që nuk mbahen në dorë por të gjitha duhet me furnizues deri në pikën e fundit”, shprehet Ibrahimi.

Nënkryetari Zogaj ndërkaq thotë se për të gjitha këto veprime, ekspertët e trafikut do të riorientojnë qarkullimin e trafikut, ndërsa për të gjithë ata që tashmë kanë përdorur parkingjet në atë pjesë të rrugës, duhet të gjejnë alternativa të tjera.

 “Ekspertët tanë të komunikacionit e kanë analizuar pjesën e trafikut urban dhe kanë marrë t’i ndryshojnë linjat për këtë kohë që të do të përdoren rrugët alternative. Gjithashtu edhe te pjesa e parkingjeve duhet të gjinden parkingjet alternative, tashmë është edhe parkingu i madh nëntokësor”, tha Zogaj.

Ndryshe, Rruga “Xhorxh Bush”, që do të ndërpritet për qarkullim për një muaj e gjysmë, në testimet për unzën e brendshme që ka bërë komuna tri herë deri tani, janë shkaktuar kolona të gjata në kryeqytet, ndërsa pakënaqësitë e qytetarëve kanë qenë të mëdha. 

 

 

 

 


MË SHUME NGA Kosovë